oraeshqipes

PËRDORIMI I DREJTË I GRUPEVE TË ZANOREVE DHE DIFTONGJEVE “ UA, UE, YE, IE, ”

Administrator Administrator Postuar: 23 Maj, 2024

0 Shikime

Komente


PËRDORIMI I DREJTË I GRUPEVE TË ZANOREVE DHE DIFTONGJEVE  “  UA, UE, YE, IE, ”

PËRDORIMI I DREJTË I GRUPEVE TË ZANOREVE DHE DIFTONGJEVE “ UA, UE, YE, IE, ”

Në mënyrë më shteruese çështjen e diftongjeve dhe të togjeve zanore përveç gjuhëtarëve të huaj, e kanë trajtuar edhe gjuhëtarët vendorë: Anastas Dodi, Jorgji Gjinari, Idriz Ajeti, e veçmas gjuhëtari ynë i madh Eqrem Çabej.

Në aspektin diakronik një studim me vlerë e përbën edhe monografia e Kolec Topallit “Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes”.

Në gjuhën standarde shqipe togjet e zanoreve duhet të shkruhen dhe të shqiptohen të plota, d.m.th. duke i ruajtur elementet përbërëse që të shqiptohen të plota dhe pa i cunguar ato. Shqipja standarde ka një varg fjalësh që përmbajnë në trup të tyre këto grupe zanoresh: “ua, ue, ye, ie” P.sh.:

 Shkruhen me ua:

buall, ftua, krua, grua, muaj, përrua, thua, dragua, duaj, hua, shuall, i përmuajshëm, druaj, quaj, bluaj, gatuaj, ruaj, shuaj, rruaj, shkruaj etj.;

 Shkruhen me ue:

botues, dëgjues, gatues, edukues, mësues, ndërtues, helmues, pastrues, përpunues, shkrues, vetëmohues, fitues, përfitues, studiues, shikues, shkues, menaxhues, shoqërues, mohues, planifikues; i dëgjueshëm, i paharrueshëm, i gëzueshëm, i shoqërueshëm, i përpunueshëm etj.;

 Shkruhen me ye:

arsye, dyer, fyej, fyerje, fyell, krye, kryesor, thyerje, thyesë, kryesi, kryeneç, pyes, pyetësor, përkthyes, shpërblyes, i pathyeshëm, arsyetoj, lyej, ngjyej, përlyej, shlyej, etj.;

 Shkruhen me ie:

e diel, diell, diellor, fier, fierishtë, miell, përmiell, qiell, qiellor; bie, ndiej, shtie, shpie, ziej etj.

• Kur dy zanore janë pranë njëra-tjetrës, secila shqiptohet si një rrokje më vete dhe përbën një grup zanor.

• Grupet e zanoreve ndahen në rrokje sipas secilës zanore:

py-es, mi-ell, dy-er, dëgju-es, di-ell.

• Te grupet e zanoreve, theksi bie mbi zanoren e parë:

ftua, përrua, grua, lyej, qiell, miell etj.

• Grupet e zanoreve duhet të shkruhen dhe shqiptohen të plota. P.sh.:

dua (jo du), shkruaj (jo shkru), mësues (jo mësus) etj.

□ Diftongjet

Dy zanore që shqiptohen si një rrokje e vetme, përbëjnë një diftong. Zanoret kanë aftësi të formojnë rrokje. Kur nga dy zanore që qëndrojnë pranë njëra-tjetrës, njëra humb aftësinë të krijojë rrokje, lind diftongu.

Kur zanoret “i, u, y” të patheksuara, shoqërohen me një zanore të theksuar, që ndodhet para ose prapa zanores së theksuar formohet diftongu.

i: infermier, piano, kamion, kërkoi;

a: kuadër, flaut;

y: tryezë, thyesë etj.

Këto grupe zanoresh formojnë një rrokje të vetme, pra nuk mund të ndahen. P.sh.:

më-soi, (jo mëso-i), ka-mion (jo kami-on), kua-dër (jo ku-adër).

Prandaj, në të shkruarit e këtyre togjeve të zanoreve, jo vetëm nxënësit, por edhe kategoritë e tjera bëjnë shmangie drejtshkrimore në shkrimet e tyre siç vihen re te shembujt:

▪︎Ata mbledhin togun “ua në u”

E pashë një “gru”me një fëmijë. Në vend që: E pashë një "grua" me një fëmijë.

Topi na ra në “përru”. Në vend që: Topi na ra në "përrua."

Kam pirë ujë në “kru”. Në vend që: Kam pirë ujë në "krua."

▪︎Edhe togun “ue” e gjejmë të shkruar me gabime, si:

Kjo radio ka shumë “dëgjusë”. Në vend që: Kjo radio ka shumë "dëgjues"

Ndeshja finale pati mijëra “shikusë”. Në vend që: Ndeshja finale pati mijëra "shikues".

Djali yt është “i dëgjushëm”. Në vend që: Djali yt është "i dëgjueshëm".

▪︎Po ashtu edhe togun “ye” e gjejmë të shkruar me gabime, si:

Kemi mësuar sot për “thysat”. Në vend që: Kemi mësuar për "thyesat".

Kërkesën ia dorëzova “krytarit”. Në vend që: Kërkesën ai dorëzova "kryetarit".

Vëllai im është në “krysi”. Në vend që: Vëllai im është në "kryesi".

▪︎Gjithandej, edhe togun “ ie” e ndeshim të shkruar me gabime, si:

Sot do të jetë mot me “dill”. Në vend që: Sot do të jetë mot me "diell".

Babai im ka blerë 200 kg “mill”. Në vend që: Babai im ka blerë 200 kg "miell".

Daja im jeton në “Fir”. Në vend që: Daja im jeton në "Fier".

~Prof. Hamdi Mazreku

Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj